FSK përforcohet me armë anti-tank gjermane Panzerfaust 3

Ushtria e Kosovës do të përforcohet me një tjetër armë anti-tank të avancuar, “Panzerfaust 3”, nga Gjermania, një anëtar i fuqishëm i NATO-s.

Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes, marrëveshjet me Gjermaninë janë finalizuar dhe pritet që anti-tankët të mbërrijnë në Kosovë gjatë janarit ose shkurtit të vitit të ardhshëm. “Panzerfaust 3” është një armë e lehtë për t’u transportuar dhe operuar nga një ushtar i vetëm, që mund të shkatërrojë tanke moderne, mjete të blinduara dhe fortifikime ushtarake brenda një çasti.

Me një gjatësi prej 120 cm dhe peshë 13 kg, ky anti-tank mund të përdorë municione të ndryshme, varësisht nga objektivi. Kalibri 110 mm i predhës, i cili lëshohet nga një hedhës 60 mm, ofron një fuqi të jashtëzakonshme shkatërruese, duke depërtuar deri në 700 mm trashësi të blindimit.

Shpejtësia fillestare e predhës arrin 165 m/s. Arma është efektive ndaj objektivave në lëvizje deri në 300 metra dhe objektivave statike deri në 400 metra, me disa variante që arrijnë deri në 600 metra.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *