Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, duke dhënë komentin e tij mbi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, deklaroi se logjika e kushtetutës është e padiskutueshme. Sipas Gashit, në rast se Kuvendi nuk formohet brenda afateve të përcaktuara nga kushtetuta, atëherë ai shpërndahet dhe qytetarët thirren për të votuar përsëri brenda 45 ditëve.
Në një postim në Facebook, ai theksoi se Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin lidhur me formimin e Kuvendit.
“Mesazhi është i qartë: Kuvendi nuk konsiderohet i formuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, Kuvendi ka vetëm 12 ditë për të përfunduar këtë proces. Gjykata ka obliguar të gjithë deputetët që të kryejnë detyrat e tyre në interes të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Nuk ka më hapësirë për justifikime ndaj bllokadave politike. Pra, zgjedhja është e qartë: ose Kuvendi formohet, ose vendi shkon në zgjedhje të reja”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka bërë të ditur sot se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ende nuk ka përfunduar.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Seanca Konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga deputetët e komunitetit serb, dhe si pasojë, Kuvendi nuk është formuar.

Leave a Reply