Gërvalla: Koha që UNMIK të mbyllë misionin në Kosovë

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje për mbylljen e UNMIK-ut në një fjalim para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ajo e konsideron këtë mision si një shpenzim të panevojshëm të fondeve të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se prania e tij në Kosovë nuk sjell më ndonjë përfitim. Gërvalla shpjegoi se institucionet demokratike të Kosovës, së bashku me agjencitë ndërkombëtare dhe organizatat e OKB-së, po kryejnë një punë të shkëlqyer dhe se largimi i UNMIK-ut nuk do të ndikonte në përditshmërinë e qytetarëve.

Ajo kritikoi edhe raportimet e njëanshme të UNMIK-ut, të cilat, sipas saj, nuk pasqyrojnë realitetin e progresit demokratik dhe përkushtimin ndaj paqes dhe sundimit të ligjit në Kosovë. Në përfundim, Gërvalla nënvizoi se rajoni i Ballkanit do të arrijë paqen e vërtetë vetëm kur Serbia të heqë dorë nga politikat e saj agresive dhe ekspansioniste.

Ajo ritheksoi synimin e Kosovës për të përparuar në rrugën euroatlantike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *