Gjykata e Hagës vendos për paraburgimin e Hashim Thaçit

Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur të vazhdojë paraburgimin për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke argumentuar se rreziqet që parashtrohen në Nenin 41(6)(b) ende ekzistojnë.

Këto përfshijnë rrezikun e arratisjes, mundësinë e pengimit të procedurave dhe rrezikun e kryerjes së veprave të reja penale. Sipas gjykatës, asnjë masë më e lehtë nuk mund t’i zbusë këto rreziqe.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka theksuar se asnjë kusht lirimi nuk i adreson këto rreziqe në mënyrë të sigurt, ndërsa mbrojtja ka kërkuar rivlerësim duke përmendur ndryshimet e rrethanave pas fazës së provave të vitit 2020. Gjykatësi ka pohuar se shqyrtimi është bërë nga e para, por nuk janë gjetur arsye të mjaftueshme për lirimin e Thaçit.

Gjykata ka përcaktuar afate të reja procedurale. Thaçi mund të paraqesë parashtresa të reja deri më 13 janar 2026, ndërsa ZPS-ja duhet të japë qëndrimin e saj deri më 20 janar 2026.

Më pas, Thaçi mund të përgjigjet deri më 27 janar 2026. Në të njëjtin vendim, paraburgimi është vazhduar edhe për Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun.

Thaçi përballet me dy procese të ndara në Hagë, për krime lufte dhe pengim të drejtësisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *