Seanca gjyqësore e planifikuar për sot ndaj Nagip Krasniqit, ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), është shtyrë për një datë të pacaktuar.
Shtyrja erdhi pasi Arben Hoti, kryetari i trupit gjykues, është avancuar në Gjykatën e Apelit. Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë do të emërojë një gjyqtar të ri për rastin, duke përcaktuar më pas edhe datën e re të seancës.
Nagip Krasniqi akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas Prokurorisë Speciale, në aktakuzën e ngritur në gusht 2024, ai ka lejuar kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” të tregtojë energji elektrike në Kosovë pa pasur licencë.
Gjatë viteve 2022 dhe 2023, Krasniqi ka nënshkruar kontrata me këtë kompani, duke qenë në dijeni se kjo veprimtari ishte në kundërshtim me ligjin. Ky veprim dyshohet se i ka shkaktuar KEK-ut një dëm financiar prej rreth 3.2 milionë eurosh.
Gjykata është zotuar të njoftojë palët për zhvillimet e reja.

Leave a Reply