Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar për keqinterpretim të Ligjit për Qeverinë.
Në një postim në “Facebook”, Gruda ka sqaruar se Murati po e citon ligjin saktë, por nuk po e kupton thelbin e tij. Gruda ka theksuar se paragrafi 5 i nenit 31 i Ligjit për Qeverinë përmend kufizimet që zbatohen për qeverinë në detyrë.
Sidoqoftë, ai ka nënvizuar se e drejta për të paraqitur ligjin për buxhetin në Kuvend është një përjashtim që i referohet vetëm qeverisë në dorëheqje, siç është përmendur në paragrafin 2 të po të njëjtit nen. Sipas Grudës, interpretimi i saktë i nenit 31 është se kufizimet janë të vlefshme për qeverinë në detyrë, ndërsa përjashtimi për dorëzimin e buxhetit i përket vetëm qeverisë që është dorëhequr.

Leave a Reply