Hajdari zgjedh Kosovën: Vendim personal i frymëzuar nga identiteti i tij, thotë menaxheri

Vendimi i Albian Hajdarit për t’u bashkuar me Kosovën ishte një tjetër “shuplakë” për Federatën e Futbollit të Zvicrës, pas asaj “goditje” të marrë në shtator nga Leon Avdullahu, i cili mori të njëjtin vendim si Hajdari.

Hajdari ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës dhe madje është paraqitur një herë me kombëtaren A në një ndeshje miqësore. Megjithatë, në fund, ai zgjodhi të përfaqësojë vendin e tij të origjinës, Kosovën, raporton Arbresh.info.

Lidhur me këtë vendim të lojtarit, menaxheri i Albianit, Sascha Fischer, ka folur për mediumin zviceran “20 Minuten”.

“Zvicra e ka formuar atë si në aspektin sportiv ashtu edhe personal, për të cilën ai dhe ne si ekip jemi shumë mirënjohës. Familja e tij vjen nga Kosova dhe ai ndjen një lidhje të fortë emocionale me këtë vend. Ai dëshiron të marrë përgjegjësi atje dhe të ndihmojë përfaqësuesen të rritet në nivel evropian”, ka deklaruar Fischer.

Më tej, ai ka theksuar se ky vendim ishte i nxitur nga identiteti i futbollistit.

“Ne gjithmonë jemi ndjerë të vlerësuar. Prandaj, ky vendim nuk është aspak rezultat i mungesës së përpjekjeve, përkundrazi, është një zgjedhje shumë personale, e nxitur nga identiteti”, ka shtuar ai.

Albian Hajdari do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e tetorit me Kosovën, ku “Dardanët” do të përballen me Slloveninë në “Fadil Vokrri” dhe me Suedinë në udhëtim./Arbresh.info


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *