Hapet çerdhja e re në Koretin, investim prej 741 mijë eurosh

Në fshatin Koretin të Kamenicës është përuruar një çerdhe e re, e cila do të ofrojë shërbime për rreth 120 fëmijë.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj. Kjo çerdhe, një investim prej 741 mijë euro nga Ministria e Arsimit, ishte një kërkesë e kahershme e banorëve të zonës.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij objekti për arsimimin e hershëm të fëmijëve dhe lehtësimin e jetës për prindërit, duke falënderuar kryetarin Rahimaj për përkushtimin ndaj politikave që mbështesin fëmijët dhe gratë. Nagavci, nga ana e saj, vuri në dukje se çerdhja nuk është thjesht një hapësirë fizike, por një mundësi për edukim që nga mosha e hershme, e cila është thelbësore për zhvillimin e fëmijëve.

Kryetari Rahimaj shtoi se kjo është çerdhja e parë publike që ndërtohet në zonë që nga viti 1982, falë bashkëpunimit me ministrinë përkatëse.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *