“Nëse janë të nevojshme dhe partitë arrijnë në përfundimin se duhet të mbahen për të përmirësuar situatën, atëherë le të organizohen.”
Kështu shprehet ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, kur u pyet nëse Kosova është në gjendje të mbajë zgjedhje të reja për të dalë nga bllokada disamujore në Kuvend.
“Së pari, mendoj se është thelbësore që zgjedhjet lokale të zhvillohen pa probleme. Po bashkëpunojmë ngushtë me Komisionin [Qendror] të Zgjedhjeve dhe entitete të tjera, për të siguruar që zgjedhjet lokale të realizohen siç duhet. Shpresoj që do të jenë të suksesshme. Vërtet shpresoj se një numër i madh qytetarësh do të marrin pjesë. Shpresoj gjithashtu që rezultatet të pranohen dhe të zbatohen. Ky është hapi i parë, sipas mendimit tim,” deklaroi ai.
“Nëse më pas del nevoja për zgjedhje të reja nacionale, sepse ato janë e vetmja mënyrë që Kosova të dalë nga ngërçi aktual, atëherë le të mbahen.”
Ai theksoi se beson që të gjitha partitë dhe institucionet do t’i organizojnë ato “të paktën po aq mirë sa zgjedhjet e shkurtit të kaluar.”

Leave a Reply