Prokuroria Themelore në Ferizaj ka informuar se më 22 janar 2026, ka autorizuar Policinë e Kosovës për hetime mbi dyshimet për manipulim votash për zgjedhjet parlamentare në disa komuna brenda juridiksionit të saj.
Në komunën e Ferizajt, nga 153 vendvotime, vetëm një kandidat ka përfituar shtim prej shtatë votash, ndërsa kandidatët e tjerë kanë pasur shtesa minimale nga një deri në tre vota. Në komunën e Hanit të Elezit, manipulimet janë të papërfillshme dhe të ngjashme me ato të Ferizajt.
Ndërkaq, në Shtime, janë raportuar manipulime në tri qendra votimi, me një përqindje më të lartë, ku tre kandidatë kanë përfituar nga dhjetë deri në 45 vota shtesë. Prokuroria ka kërkuar Policisë së Kosovës të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit në Ferizaj dhe Han të Elezit, ndërsa në Shtime, do të intervistohen komisionerët dhe kryesuesit si të dyshuar.
Për Kaçanikun dhe Shtërpcën, ende priten raportet përfundimtare. Prokuroria ka nënvizuar angazhimin e saj për mbrojtjen e votës së lirë dhe procesin e rregullt hetimor.

Leave a Reply