Hetimet për manipulim të votave prekin edhe kandidatët deputetë

Prokuroria në Kosovë po heton mundësinë e manipulimit të votave në zgjedhjet e fundit, duke mos përjashtuar as kandidatët për deputetë.

Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, prokurorja Laura Pula, njoftoi se hetimet po zhvillohen në disa drejtime, duke përfshirë mbledhjen e informatave, analizimin e provave dhe intervistimin e personave të përfshirë në procesin zgjedhor. Ajo theksoi se pas përfundimit të këtyre fazave, do të fillojë intervistimi i kandidatëve që mund të kenë qenë të përfshirë në manipulime.

Sipas Pulës, hetimet janë zgjeruar në të gjitha shtatë prokuroritë e vendit dhe përfshijnë të gjitha partitë politike. Prokuroria po shqyrton rastet e falsifikimit të votave brenda partive.

Në Prizren, disa kryesues dhe komisionerë kanë bashkëpunuar me Prokurorinë duke ofruar prova konkrete, të cilat po ndihmojnë në hetim. Deri më tani, janë arrestuar 28 persona në Prizren dhe 15 në Malishevë për manipulime të dyshuara me vota.

Pula deklaroi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje, pavarësisht numrit të votave të manipuluara.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *