Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur një aktgjykim dënues për Edon Bujupin, i cili akuzohet për vrasjen e vjehrrit të tij, A.K. Ky aktgjykim e shpall Bujupin fajtor për “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” dhe e dënon atë me 12 vjet burg.
Aktgjykimi për Bujupin u bë publik të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, njofton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit, periudha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në dënimin me burgim të të akuzuarit, ndërsa paraburgimi është zgjatur.
Bujupi gjithashtu është i detyruar të paguajë shpenzimet procedurale, 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit, brenda 15 ditëve nga fuqizimi i aktgjykimit. Palët e dëmtuara, A.K. dhe A.K., udhëzohen të ndjekin një proces juridiko-civil të rregullt. Ankesa është e lejuar brenda 30 ditëve në Gjykatën e Apelit përmes kësaj gjykate.
Në arsyetimin e saj, gjykatësja Dermaku shpjegoi se ricilësimi i veprës penale nga “Vrasje” në “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” u bë sepse i akuzuari ishte sulmuar nga viktima dhe një dëshmitar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 21 tetor 2024, thuhet se Edon Bujupi, më 29 nëntor 2023, rreth orës 21:15, në banesën e tij në rrugën “Ali Vitija”, pas një mosmarrëveshjeje me miqtë e tij (babain dhe vëllain e gruas), filloi një përleshje, gjatë së cilës, me dashje për të privuar nga jeta, e goditi viktimën A.K. me një thikë 19 centimetra të gjatë në kraharorin e majtë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Me këtë veprim, Bujupi, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Vrasje” sipas nenit 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply