Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për një ndryshim të rëndësishëm të motit në vend, me ulje të temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat.
Sipas institutit, pas reshjeve intensive të shiut në ditët e fundit, nga nata do të fillojë një ndryshim gradual i kushteve meteorologjike. Presioni atmosferik është në rënie, duke treguar ardhjen e një fronti aktiv në rajon.
Pritet që erërat, të cilat deri më tani kanë fryrë nga juglindja, gjatë natës do të ndryshojnë drejtimin në veri dhe veriperëndim, duke sjellë masa ajrore të ftohta dhe ulje të ndjeshme të temperaturave në gjithë Kosovën. Gjatë orëve të para të së enjtes, reshjet e shiut do të kalojnë gradualisht në borë, fillimisht në zonat kodrinore dhe malore, më pas edhe në fushat e ulëta.
Temperaturat do të zbresin nën zero, duke krijuar kushte për ngrica në rrugë dhe zona të tjera. Instituti paralajmëron se këto kushte do të ndikojnë në sigurinë e qarkullimit, veçanërisht në rrugët malore dhe zonat me reliev të thyer, dhe rekomandon përdorimin e pajisjeve dimërore.
Qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të marrin masa për sigurinë e tyre.

Leave a Reply