Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar për praninë e gripit të shpezëve, të llojit HPAI–H5N1, në Hungari, sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve dhe Komisionit Evropian.
Kjo sëmundje është identifikuar në fermat komerciale dhe në shpezët e egra në rajonet Jasz, Nagykun dhe Szolnok. Bazuar në legjislacionin aktual dhe masat parandaluese për shëndetin e kafshëve dhe sigurinë ushqimore, AUV ka vendosur të ndalojë importin e shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga zonat e prekura të Hungarisë.
Përjashtim bëjnë vetëm ato produkte që vijnë nga ferma të paimpaktuara, të cilat ndodhen më shumë se 50 km larg zonave të infektuara. Kjo masë është efektive menjëherë dhe do të mbetet aktive derisa të bëhet një vlerësim i mëtejshëm i situatës.
AUV do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe do të bashkëpunojë me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të marrin njoftime të reja sipas nevojës.

Leave a Reply