Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, nën Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka ndërmarrë një aksion inspektues në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Inspektoratin Qendror të Punës.
Qëllimi i këtij aksioni ishte mbrojtja e konsumatorëve, sigurimi i konkurrencës së drejtë dhe verifikimi i përmbushjes së detyrimeve ligjore nga subjektet ekonomike. Gjatë inspektimeve u shqyrtuan 69 subjekte, ku vëmendja kryesore u përqendrua në fushën e hotelerisë dhe turizmit, veçanërisht në aktivitetet e vilave dhe moteleve.
Si rezultat i inspektimeve, 26 subjekte u mbyllën përkohësisht për shkak të mosregjistrimit dhe mungesës së dokumentacionit të nevojshëm teknik. Kundrejt operatorëve që vepronin në kundërshtim me ligjin, u vendosën 27 masa ndëshkuese.
Inspektorati ka njoftuar se aktivitete të ngjashme do të vazhdojnë, me synimin e krijimit të një mjedisi më të sigurt dhe të rregullt për zhvillimin ekonomik në Kosovë.

Leave a Reply