Instituti i Vjenës: Shqipëria mund të anëtarësohet pjesërisht në BE

Një forum i mbajtur nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike (wiiw) sugjeron se anëtarësimi i pjesshëm në Bashkimin Europian mund të jetë një skenar realist për Shqipërinë dhe Malin e Zi në tre vitet e ardhshme.

Ky model do t’iu mundësonte këtyre vendeve të integrohen ekonomikisht dhe institucionalisht në BE, por pa të drejta të plota politike si votimi në Këshillin e BE-së apo përfaqësimi në Parlamentin Europian. Në këtë kontekst, Shqipëria do të ketë mundësi të marrë pjesë në tregun e brendshëm të unionit, të përfitojë nga fondet strukturore dhe të zbatojë legjislacionin europian.

Kjo do t’i ofronte kompanive shqiptare akses të lirë në tregun europian, duke eliminuar tarifat dhe barrierat jo-tarifore, si dhe do të tërhiqte investime të huaja, duke konsideruar vendin si pjesë të hapësirës ekonomike të BE-së. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian do të përfitonte nga stabilizimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ulja e ndikimit të aktorëve të tjerë gjeopolitikë.

Megjithatë, analistët theksojnë se sfidat mbeten, përfshirë mungesën e konkurrueshmërisë dhe nevojën për politika më të mira industriale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *