Diskutimet rreth strategjisë së mbrojtjes në Gjykatën Speciale të Hagës janë shndërruar në debate më shumë politike sesa juridike në Kosovë. Debati u intensifikua pas dëshmive të James Rubin, Paul Williams dhe John Duncan. Një taktikë e ngjashme mbrojtëse ishte përdorur më parë në Tribunalin e Hagës, ku Michael O’Reilly kishte mbrojtur Ramush Haradinajn.
O’Reilly, së bashku me avokatë të njohur si Benn Emmerson dhe Rodney Dixon, sfiduan pretendimet e Prokurorisë që Haradinaj kishte kontroll të plotë në zonën e Dukagjinit dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte përgjegjëse për vrasjet e lidhura me rastin në “Liqenin e Radoniqit”.
Sipas O’Reilly, strategjia e mbrojtjes ishte të demostronte se UÇK-ja ishte një organizatë vullnetare pa linja të qarta komanduese dhe se Haradinaj nuk kishte kryer ose urdhëruar krime. Provat treguan gjithashtu se shumë nga trupat e gjetur në kanal ishin zhvendosur nga forcat serbe dhe se UÇK-ja nuk kishte pasur kontroll të plotë në zonat e akuzuara.
Në Tribunalin e Hagës u vërtetua se Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte autoritet mbi Haradinajn, duke e bërë të qartë që ai shpesh injoronte udhëzimet e tyre. Avokati thekson se kontrolli i Haradinajt buronte nga respekti dhe aftësitë e tij si luftëtar, dhe jo nga pozita formale e komandantit.
Kjo qasje taktike po përdoret aktualisht edhe nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës, ku avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po përpiqen të dëshmojnë se nuk ka ekzistuar një zinxhir i qartë komandues. Kjo është mbështetur edhe nga dëshmitë e Rubin, Williams dhe Duncan.

Leave a Reply