Ish-ushtarja Zogaj: Përpjekjet për njollosjen e UÇK-së janë të kota

Në emisionin Pressing, tri ish-ushtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Shyhrete Kastrati, Velvetie Zogaj dhe Demrije Salihaj – ndanë përvojat e tyre gjatë luftës, duke theksuar sfidat dhe sakrificat që përballuan gratë luftëtare.

Velvetie Zogaj shprehu ndjenjat e saj rreth krenarisë dhe sfidave që e shoqëruan si pjesë e UÇK-së. Ajo theksoi se brezi i saj u përball me shumë pengesa, por ndjeu fatin e madh që ishte pjesë e projektit më të madh shqiptar të fund shekullit të kaluar.

Sipas saj, lufta përbën krenarinë më të madhe të këtij brezi. “Lufta është krenaria jonë më e madhe.

Askush s’e do luftën, por kush e do lirinë duhet të jetë i përgatitur për luftë,” tha ajo. Zogaj vuri në dukje se gratë e UÇK-së bartnin një barrë të dyfishtë, duke u përpjekur të jenë shembull për brezat e ardhshëm.

Ajo ndau se gjatë gjithë jetës së saj pas luftës, çdo veprim ka qenë i peshësuar me faktin se ka qenë ushtare e UÇK-së. Në përfundim, Zogaj tha se përpjekjet për të njollosur UÇK-në janë të kota, pasi “UÇK është një diamant që balta nuk i ngjitet.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *