Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar një kontratë me qytetarët, duke u zotuar që gjatë mandatit të tij të parë do të realizojë 90% të premtimeve, përndryshe nuk do të kërkojë rizgjedhje.
Ismaili ka ftuar qytetarët që ta nënshkruajnë këtë marrëveshje dhe ta mbajnë përgjegjës për zotimet e tij. Në numrin e fundit të gazetës javore “Koha për Prishtinën”, me titullin “Koha për Uranin”, janë përfshirë pesë zgjidhje emergjente për të bërë Prishtinën më funksionale.
Në mesin e këtyre zgjidhjeve janë hapja e sheshit “Xhorxh Bush”, adresimi i trafikut brenda 18 muajsh, pastërtia e lagjeve dhe rrugë të sigurta gjatë gjithë kohës. Për më tepër, Ismaili planifikon pezullimin e lejeve të reja ndërtimore për gjashtë muaj si pjesë e strategjisë “Nga betoni te komuniteti”.
Gazeta gjithashtu përmban 10 vendimet e para që ai synon të marrë menjëherë pas zgjedhjeve, si dhe udhëzime për votimin më 12 tetor.

Leave a Reply