Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, që të caktojë një masë paraburgimi prej 30 ditësh për një shtetase italiane, D.G.E.
Ajo dyshohet për përfshirje në veprat penale të “Blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe “Falsifikimit të parasë”, sipas Kodit Penal të Kosovës. Sipas Prokurorisë, më 19 nëntor 2025, rreth orës 10:30, në pikën kufitare Hani i Elezit, e dyshuara u kap duke transportuar substanca të ndaluara që u zbuluan gjatë kontrollit të bagazhit të saj në një autobus që vinte nga Shkupi.
Në valixhen e saj u gjetën katër qese me pluhur të bardhë dhe substanca të ndryshme narkotike, përfshirë Methaphetamin dhe Mephodrone. Gjithashtu, iu gjetën edhe dy shishe me likuid të dyshuar si Gamma Butyrolactone.
Po atë ditë, e dyshuara kishte në posedim edhe dy kartëmonedha false me vlerë 200 euro, të cilat synonte t’i vinte në qarkullim si të vërteta. Ajo ndodhet nën ndalim 48 orësh që nga 19 nëntori 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Leave a Reply