Kandidati i Listës Serbe për Kryetar të Zubin Potokut Akuzohet për Lidhje me Sulmin në Banjskë

Kandidati i Listës Serbe për kryetar të Zubin Potokut dyshohet për përfshirje në sulmin e Banjskës

3 orë më parë

26/09/2025

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka hyrë në garën për zgjedhjet lokale.

Një nga kandidatët e kësaj partie është Millosh Peroviq, i cili synon postin e kryetarit të Zubin Potokut.

Millosh Peroviq, kandidati për kryetar të Zubin Potokut, dyshohet se ka qenë pjesë e grupit terrorist të Millan Radojçiq më 24 shtator gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, raporton Tëvë1.

Janë siguruar fotografi nga droni i Policisë së Kosovës, ku dyshohet se është Peroviq, i maskuar dhe rëndë i armatosur, në oborrin e manastirit të Banjskës.

Një fotografi nga viti 2023, e realizuar në Beograd, tregon lidhjen e afërt të Millosh Peroviq me Millan Radojiçiq.

Televizioni ka kërkuar një reagim zyrtar nga Lista Serbe, por deri në publikimin e këtij raporti nuk ka marrë përgjigje.

Kryetari aktual i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka konfirmuar se Millosh Peroviq është i afërt me Millan Radojiciq dhe një figurë kryesore në Listën Serbe.

“Millosh Peroviq është një sejmen i linjave të kryeterroristit Radojiciq, sepse edhe më parë kanë bashkëpunuar. E shoh si një person të përfshirë në afera të korruptuara dhe keqbërje ndaj qytetarëve, por kjo është çështje për organet e drejtësisë. Përfaqësuesi i Listës Serbe nuk sjell ndonjë ndryshim pozitiv; qasja e tyre është në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës”, deklaroi Zeqiri.

Zeqiri theksoi se edhe lista për asamblistë të Listës Serbe përbëhet nga persona të afërt të Millan Radojiciq.

“Ky ka qenë pjesë e parlamentit nga radhët e Listës Serbe dhe bashkëpunëtor i linjës së Radojiciq. Edhe lista për asamblenë, kryesuar nga Sergjan Vulloviq, përfaqëson të njëjtën linjë”, tha ai.

Policia e Kosovës ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare në lidhje me hetimet për këtë rast.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *