Gjykata Kushtetuese ka dhënë dritën e gjelbër për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, duke e konsideruar këtë hap të fundit drejt konstituimit të tij.
KDI u bën thirrje deputetëve dhe partive politike që të respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë shpejt për të zgjedhur anëtarin e fundit të Kryesisë, duke u mbështetur në normat kushtetuese dhe vullnetin e qytetarëve. Sipas KDI-së, zgjedhja e anëtarit të pestë të Kryesisë nga komuniteti serb është thelbësore për përfundimin e konstituimit të Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë, gjë që do të mundësojë funksionalizimin e plotë të institucioneve shtetërore.
Pas tetë muajsh nga zgjedhjet e përgjithshme, përmbyllja e këtij procesi është thelbësore për forcimin e demokracisë dhe garantimin e funksionimit efektiv të institucioneve. KDI nënvizon se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim për të gjitha subjektet politike, për të rikthyer normalitetin institucional dhe për të forcuar demokracinë parlamentare në vend.

Leave a Reply