Komisioni Evropian ka miratuar fonde të reja për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria do të përfitojë 99.3 milionë euro nga kjo paketë. Ndërkohë, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina mbeten jashtë përfitimeve për shkak të sfidave institucionale dhe mungesës së reformave të kërkuara.
Kosova nuk ka arritur të krijojë institucionet e nevojshme pas zgjedhjeve të fundit, gjë që pengon lëshimin e fondeve nga BE-ja. Ndonëse Kosova i ka plotësuar kushtet teknike dhe formale, mungesa e institucioneve të konsoliduara ka bërë të pamundur arritjen e marrëveshjeve formale me BE-në, të cilat kërkojnë ratifikim në Kuvendin e Kosovës.
Komisioni Evropian thekson rëndësinë e këtyre fondeve për reformat dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, duke paralajmëruar se fondet e papërdorura do të ridrejtohen në vende që plotësojnë kushtet e përcaktuara. Kjo paketë synon të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Leave a Reply