Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë kërkesën e Besim Kelmendit për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili e shkarkoi atë nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në vendimin e datës 4 dhjetor, gjyqtarja Valbona Gjonbalaj arriti në përfundimin se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për të miratuar masën e përkohshme të sigurisë që kërkoi Kelmendi. Ai nuk arriti të dëshmojë se largimi i tij do të shkaktonte një dëm të rëndë dhe të pakthyeshëm.
Gjykata argumentoi se pozita e u.d. Kryeprokurorit është e përkohshme dhe çdo dëm i pretenduar mund të kompensohet në një vendim përfundimtar.
Kelmendi kishte pohuar se vendimi i KPK-së ishte i paligjshëm dhe pa kuorum, duke pretenduar se largimi i tij do të dëmtonte reputacionin profesional. Megjithatë, Gjykata i konsideroi këto pretendime të paargumentuara.
Këshilli Prokurorial kishte kërkuar refuzimin e kërkesës, duke theksuar se largimi i Kelmendit nuk prek statusin e tij si prokuror dhe se interesi publik kërkon stabilitet në sistemin prokurorial. Kelmendi ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda 7 ditëve.

Leave a Reply