Këshilltari i Sarkozy-t apelon te Macron-i për faljen e ish-presidentit

Një ndihmës i ngushtë i ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy, i ka bërë thirrje publikisht presidentit Emmanuel Macron për të shqyrtuar dhënien e një faljeje presidenciale ndaj tij. Henri Guaino, i cili ka shërbyer si këshilltar special për Sarkozinë, e përshkroi situatën si “jashtëzakonisht serioze” gjatë një interviste me transmetuesin RTL. Ai u shpreh se dënimi i Sarkozisë përbën një poshtërim për shtetin francez dhe institucionet e tij.

“Çfarë ndodhi dje ishte jashtëzakonisht serioze. Ishim dëshmitarë të apoteozës së gjykimit pa prova. E konsideroj si një lloj grushti shteti gjyqësor kundër ndarjes së pushteteve.”

Guaino i bëri thirrje presidentit Macron që të përdorë fuqinë e tij kushtetuese për të falur ish-udhëheqësin. Ish-këshilltari argumentoi se një falje nuk do ta anulonte dënimin, por mund të zbatohej pjesërisht.

Ai propozoi që një falje presidenciale mund të eliminonte vendimin për burgosjen e ish-kreut të shtetit francez.

Megjithëse përballjet ligjore të Sarkozisë kanë vazhduar për vite, ai ruan një ndikim të madh në politikën e krahut të djathtë francez. Ish-presidenti ka zhvilluar takime private me Macronin, pavarësisht nga dallimet e tyre politike.

Një gjykatë, dje, dënoi ish-presidentin 70-vjeçar me pesë vjet burg për një skemë që përfshinte diktatorin e ndjerë libian, Muammar Gaddafi, në financimin e fushatës së tij të vitit 2007.

Sarkozy bëhet lideri i parë francez i pasluftës që dënohet me burg të vërtetë, pasi u shpall fajtor për akuza për konspiracion kriminal. Ai duhet të fillojë menjëherë vuajtjen e dënimit me burg, ndërsa pret rezultatin e procesit të apelimit.

Liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e kritikoi ashpër vendimin e gjykatës të një dite më parë dhe deklaroi në platformën e mediave sociale X se zbatimi i menjëhershëm i vendimit para apelimit përbën një rrezik të madh për parimet ligjore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *