Kohët e fundit, njësitë e KFOR-it janë parë duke patrulluar të pajisura me sisteme të avancuara anti-dron, të dizajnuara për përdorim në nivel togu, duke forcuar kështu kapacitetet e tyre mbrojtëse ajrore.
Kjo është bërë e njohur përmes një publikimi zyrtar nga KFOR, i cili përfshinte edhe fotografi të këtyre pajisjeve të reja. Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, e ka përshkruar këtë zhvillim si një rritje të dukshme të gatishmërisë teknologjike të KFOR-it në terren.
Sipas tij, këto sisteme ofrojnë aftësi për zbulim dhe neutralizim të dronëve brenda një distance të afërt, duke siguruar mbrojtjen e trupave dhe integritetin e operacioneve në zona të ndjeshme. Shala thekson se kjo lëvizje tregon për përshtatshmërinë e shpejtë të KFOR-it ndaj kërcënimeve hibride në rajon, ku teknologjitë civile po përdoren për qëllime të luftës informative dhe operacionale.
Ai gjithashtu vlerëson se ky hap do të forcojë bashkëpunimin mes KFOR-it dhe Policisë së Kosovës për mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe parandalimin e incidenteve të mundshme me dronë.

Leave a Reply