KMShK: BIRN akuzohet për raportim të pasaktë kundër Arsim Halilit, dy shkelje të Kodit të Etikës

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) gjatë mbledhjes së tij të rregullt shqyrtoi gjithsej shtatë ankesa. Kuvendi i KMShK-së vendosi që një prej tyre të miratohet, dy të aprovohen pjesërisht, dy të refuzohen, një të konsiderohet e patrajtuar dhe një e paafatshme.

Ankesat kishin të bënin me pretendime për shkelje të kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, konkretisht Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit III – Nxitja dhe gjuha e urrejtjes, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur dhe Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve.

KMShK miratoi ankesën e Arsim Halilit kundër Kallxo.com për artikullin me titull “Reagim ndaj fushatës shpifëse për kontratën e vitit 2017 mes BIRN-it dhe RTK-së”, duke konstatuar shkelje të kapitujve II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, që lidhen me raportimin e së vërtetës dhe të drejtën për t’u përgjigjur.

KMShK miratoi pjesërisht ankesën e Albinot Bimbashit kundër Kosovalive.net për artikullin me titull “Skandaloze: Pjesëtarët e diasporës së Kosovës që jetojnë në Austri janë duke u përballur me shumë telashe”, duke konstatuar shkelje të kapitujve II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, që lidhen me raportimin e së vërtetës dhe të drejtën për t’u përgjigjur, por jo edhe Kapitullin III, që lidhet me nxitjen e gjuhës së urrejtjes, siç pretendoi pala ankuese.

KMShK miratoi pjesërisht ankesën e Telekomit të Kosovës Sh.A. kundër Shenjester.net për artikullin me titull “Telekomi e konfirmon raportimin e Shenjestrës për ‘tagjinë’ e Kurtit ndaj mediave, duke dashur ta demantojë atë” dhe video komentin në faqen zyrtare në Facebook me titull “Tagjia e Kurtit për mediat”, duke konstatuar shkelje të pjesshme të Kapitullit II të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, që lidhet me raportimin e së vërtetës.

KMShK refuzoi ankesën e Rilind Gërvallës kundër Nacionale.com për artikullin me titull “RTK-ja e largoi nga lajmet qendrore redaktorin Visar Krasniqi, veç pse e citoi intervistën e Thaçit në Klan Kosova”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, që lidhet me raportimin e së vërtetës, siç pretendoi pala ankuese.

KMShK refuzoi ankesën e Vlora Bajramit kundër Kallxo.com për fotografinë në artikullin me titull “Avokatja nuk i kishte shkresat e lëndës – shtyhet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Rinor Grajqevci”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, që lidhet me mbrojtjen e privatësisë, siç pretendoi pala ankuese.

KMShK e shpalli të patrajtuar ankesën e Zize Pajazitit, përfaqësuar nga avokati Shkelzen Behrami, kundër televizionit Klan Kosova, duke konstatuar se nuk ka kompetencë për ta trajtuar këtë rast. KMShK udhëzon palën që t’i drejtohet Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), institucion që merret me përmbajtje mediale që nuk publikohen në media të shkruara dhe online.

KMShK e shpalli të paafatshme ankesën e Zize Pajazitit, përfaqësuar nga avokati Shkelzen Behrami, kundër Gazetaexpress.com për artikullin me titull “Skandali thellohet: Vajza të tjera të showbiz-it takime ‘speciale’ në burgun e Reçit me grupin Bajri”, për të cilin pala ankuese konsideron se është në kundërshtim me kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Gjithashtu, KMShK pezulloi anëtarësinë e disa mediave (Fakteplus.net, Kosovalive.org, New-perspektiva.org, Sporti1.com, Tribunashqiptare.info) për shkak të ndërprerjes së funksionimit, si dhe të Shqip.com, për shkak se tani funksionon me bazë në një shtet tjetër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *