Në Kampin Film City në Prishtinë, sot zhvillohet ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it.
Gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, do t’ia kalojë komandën gjeneralmajorit turk, Özkan Ulutaş. Ky ndërrim simbolizon vazhdimësinë e përkushtimit të KFOR-it në misionin e tij në Kosovë, duke garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Dje, në selinë e KFOR-it, u realizua një inaugurim simbolik që përfshiu ngritjen e flamurit dhe prezantimin e stemës së re. Ky ritual tradicional nënvizon tranzicionin e qetë midis komandantëve të KFOR-it, duke e evidentuar trashëgiminë dhe angazhimin e trupave të NATO-s në rajon.
Ceremonia sot do të zhvillohet në sheshin e emëruar në nder të komandantit të parë të KFOR-it, Sir Michael Jackson. Si misioni më i gjatë i NATO-s, KFOR-i vazhdon të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Kombet e Bashkuara dhe në bashkëpunim me institucionet vendase dhe ndërkombëtare.

Leave a Reply