Komuna e Drenasit kritikon KRU “Prishtina” për ndërprerjet e ujit

Komuna e Drenasit ka kritikuar ashpër KRU “Prishtina”, dega në Drenas, për ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit me ujë në disa fshatra, duke e konsideruar këtë veprim si të papërgjegjshëm dhe diskriminues.

Sipas komunës, edhe pas pesë ditësh kërkesa për shpjegime, përgjigjet e kompanisë kanë qenë të pasakta dhe të përsëritura, ndërsa zgjidhjet e premtuara për problemet teknike nuk janë realizuar. Komuna ka theksuar se reagimi i fundit nga KRU “Prishtina” ishte i papërshtatshëm, pasi u informua se zyrtarët e informimit ndodheshin në Shqipëri.

Ndërkohë, kompania ka vazhduar të publikojë njoftime për komunat e tjera, duke lënë pas dore Drenasin pa ndonjë arsye të qartë. Në deklaratën e saj, komuna ka paralajmëruar se do të shqyrtojë hapat ligjorë për të siguruar të drejtën e qytetarëve për furnizim me ujë dhe për të garantuar dinjitetin e tyre.

Për të mbështetur pretendimet, komuna ka publikuar fotografi që tregojnë njoftimet e kompanisë për komunat e tjera, por jo për Drenasin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *