Kontrollohen 15 biznese për aktivitete të dyshimta me botoks

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe disa inspektorate, po zhvillon një operacion të gjerë për kontrollin e bizneseve në Prishtinë.

Ky veprim vjen si rezultat i urdhrit për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të lëshuar nga Gjykata Themelore, duke përfshirë 15 lokacione që dyshohen për përfshirje në aktivitete të paligjshme. Hetimet po përqendrohen në dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe tregti të ndaluar.

Bizneset janë nën hetim për përdorimin e botoksit në shërbimet estetike, pa pasur personel të certifikuar, duke shkelur kështu ligjin për produktet medicinale. Në njoftimin e Prokurorisë, theksohet se asnjë operator ekonomik në Kosovë nuk është i licencuar për importin e këtij produkti, duke e bërë kështu veprimtarinë ilegale.

Prokuroria angazhohet për zbatimin rigoroz të masave ligjore për të mbrojtur interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *