Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot Sekretaren e re të Përgjithshme të CEFTA-s, Pranvera Kastrati, e cila u zgjodh pas dy vitesh bllokim.
Ky takim erdhi në përmbyllje të “Javës së CEFTA-s”, që u mbajt në Prishtinë, ku Kosova shënoi një vit të suksesshëm në drejtimin e bashkëpunimit tregtar rajonal. Gjatë “CEFTA Week 2025”, e cila u zhvillua nga 1 deri më 3 dhjetor nën kryesimin e Kosovës, u miratuan katër vendime të rëndësishme.
Këto vendime rrisin numrin total në 11 për këtë vit, duke treguar efikasitetin dhe lidershipin e Kosovës në rajon. Vendimet e reja synojnë lehtësimin e tregtisë, digjitalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe doganore.
Kurti vlerësoi zgjedhjen e Pranvera Kastratit si Sekretare e Përgjithshme, duke theksuar rëndësinë e këtij hapi gjatë presidencës së Kosovës, si dhe aftësinë e vendit për të ndërtuar konsensus rajonal. Sot u realizua edhe transferimi i presidencës së CEFTA-s nga Kosova te Shqipëria, ku ministrja Rozeta Hajdari ia dorëzoi detyrën Delina Ibrahimajt.
Qeveria e Kosovës i uroi Shqipërisë suksese në udhëheqjen e ardhshme.

Leave a Reply