Presidenti Donald Trump ka nënshkruar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2026, i cili autorizon një buxhet rekord prej mbi 901 miliardë dollarësh për mbrojtje.
Ndër përfituesit e këtij ligji është edhe Kosova, e cila theksohet për rolin e saj strategjik në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë për stabilitetin evropian. Ligji përfshin gjithashtu përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas marrëveshjes së arritur në shkurt 2023 me ndërmjetësimin e BE-së.
Kongresi apelon për përparim të menjëhershëm në zbatimin e marrëveshjes dhe angazhimin për dialogë strategjikë dypalësh dhe investime ekonomike. Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për një marrëveshje përfundimtare që përfshin njohjen reciproke, duke refuzuar çdo ndryshim territorial bazuar në linja etnike.
Aktivisti Harry Bajraktari e ka cilësuar këtë ligj si historik, duke theksuar rëndësinë e tij për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. Ai vlerëson se ky hap forcon integritetin territorial të Kosovës dhe afron më tej anëtarësimin e saj në NATO, duke nënvizuar partneritetin e fuqishëm me SHBA-në.

Leave a Reply