Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati për deputet nga PDK, Enver Hoxhaj, ka bërë thirrje për kthimin e Kosovës në aleancën perëndimore, duke paralajmëruar për pasojat e izolimit ndërkombëtar.
Në një mesazh video të publikuar sot, Hoxhaj përmendi momentet kyçe të historisë së Kosovës dhe ndikimin e Perëndimit në lirinë dhe shtetësinë e saj. Ai theksoi se zgjedhja e Kosovës për Perëndimin gjatë periudhës së luftës ishte vendimtare, duke përmendur Rambujenë si “kontratën e parë” me Perëndimin që çoi në ndërhyrjen e NATO-s.
Sipas tij, Pavarësia e Kosovës përfaqëson “kontratën e dytë”, duke e quajtur një shtet të lirë dhe të ankoruar në vlerat perëndimore. Duke vlerësuar situatën aktuale, Hoxhaj shprehu shqetësim për ndërprerjen e dialogut strategjik me SHBA-në dhe rrezikun e izolimit.
Si zgjidhje, ai sugjeroi anëtarësimin e Kosovës në NATO për siguri reale. Në përfundim, Hoxhaj theksoi vizionin e PDK-së për një Kosovë të fortë dhe të angazhuar me Perëndimin, duke nënvizuar se ky angazhim është një çështje besimi dhe trashëgimie historike.

Leave a Reply