Kosovari 33-vjeçar dënohet në Shqipëri për fyerje flamuri

Një 33-vjeçar nga Kosova, Alban Bibaj, është dënuar me 2 vite burg nga Gjykata e Tiranës për postime në Facebook që nxisnin urrejtje nacionale.

Vendimi u mor pas një gjykimi në mungesë të tij dhe u bë i njohur së fundmi. Sipas gjykatës, Bibaj ka tërhequr vëmendjen e Drejtorisë së Anti-terrorit pas disa postimesh me përmbajtje provokuese, të shoqëruara me imazhe të flamurit kombëtar shqiptar dhe deklarata që synonin përçarjen fetare dhe kombëtare.

Në këto postime, ai përdorte fjalë denigruese për simbolet kombëtare dhe përçonte mesazhe që mund të nxisnin antagonizëm mes identiteteve fetare dhe kombëtare. Prokuroria e Tiranës ka bashkëpunuar me autoritetet kosovare për hetimet.

Bibaj, i pyetur në Pejë, ka mohuar të ketë bërë thirrje për urrejtje, duke theksuar se praktikon fenë islame prej 15 vitesh pa ushtruar ndonjëherë urrejtje. Gjykata, megjithatë, vlerësoi se postimet e tij përmbanin elementë që cenonin rendin publik dhe nxisnin përçarje.

Dënimi do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *