Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) së shpejti do të dorëzojë në Qeverinë e Kosovës kërkesën për buxhetin e nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të planifikuara të mbahen më 28 dhjetor 2025.
KQZ ende nuk ka zbuluar shumën e saktë të kërkuar, por nëse bazohet në zgjedhjet e mëparshme parlamentare të 9 shkurtit, kostoja e zgjedhjeve gjatë vitit 2025 mund të arrijë në rreth 28 milionë euro. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se për zgjedhjet e 9 shkurtit ishin parashikuar 8.7 milionë euro, ndërsa për zgjedhjet lokale 10.5 milionë euro.
Aktualisht, nuk ka ende raporte përfundimtare mbi shpenzimet e sakta. KQZ është duke përgatitur planifikimin buxhetor për zgjedhjet e ardhshme dhe do ta paraqesë atë për miratim në qeveri.
Elezi theksoi se përgatitja financiare për zgjedhje të paparashikuara është një praktikë e zakonshme, duke marrë parasysh rritjen e përgjegjësive që sjell Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme. Pjesa më e madhe e buxhetit shpenzohet për pagat e trupave zgjedhore dhe stafit të angazhuar gjatë procesit.

Leave a Reply