Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT) ka kundërshtuar raportimet e fundit që sugjeronin se EFT LLC do të furnizonte me energji elektrike qytetarët e Kosovës më 28 nëntor 2025.
KOSTT ka sqaruar se ky informacion është i pasaktë dhe nuk pasqyron gjendjen aktuale të tregut të energjisë. Sipas KOSTT, EFT LLC nuk ka rezervuar kapacitete për furnizim të brendshëm, por vetëm për transit të energjisë elektrike.
Rezervimet ndërkufitare realizohen përmes SEE CAO, që menaxhon ndarjen e kapaciteteve për import-eksport të energjisë në rajon. Në përputhje me rregulloret evropiane dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë, operatorët e tregut, përfshirë EFT LLC, angazhohen në tregti ndërkufitare përmes ankandeve të bazuara në Net Transfer Capacity (NTC).
Këto procese sigurojnë shpërndarjen e të hyrave midis operatorëve të sistemeve të transmetimit në rajon. KOSTT, si themeluese e SEE CAO, nënvizon rëndësinë e transparencës dhe komunikimit të qartë me publikun.
Qytetarët dhe palët e interesuara ftohen të qëndrojnë të informuar përmes burimeve zyrtare për zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike.

Leave a Reply