Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar pas përfundimit të afatit për tërheqjen nga gara zgjedhore, duke theksuar se ky nuk është fundi i mundësive për partitë politike që ende nuk kanë vendosur për mënyrën e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje.
Në një postim në Facebook, Cakolli shpjegoi se ligji ofron një mekanizëm shtesë: nëse një subjekt politik nuk dorëzon listën e kandidatëve deri nesër në mesnatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mund të tërheqë certifikimin e tij. Kjo, sipas Cakollit, mundëson ndryshime të mëtejshme në garë, përfshirë marrëveshje politike dhe bashkime listash, deri në momentin e fundit para dorëzimit të listave.
Ai gjithashtu argumenton se shorti për renditjen në fletëvotim duhet të mbahet vetëm pas përfundimit të afatit për dorëzimin e listave. Cakolli kritikoi çdo vendim të mundshëm të KQZ-së për të organizuar shortin më herët, duke e quajtur një veprim që krijon presion të panevojshëm mbi subjektet politike dhe ndikon në procesin ligjor ende të hapur.
Cakolli apelon që KQZ të veprojë me kujdes dhe të respektojë hapësirat ligjore të garantuara për partitë politike.

Leave a Reply