Albert Krasniqi nga organizata Demokracia Plus ka kritikuar veprimet e fundit të Ministrit të Punëve të Brendshme, duke theksuar se ai duhet të ruajë neutralitetin gjatë procesit zgjedhor.
Sipas tij, Ministri në vend që të sigurojë rendin dhe qetësinë për të gjithë qytetarët, ka fotografuar dhe kërcënuar një zyrtar të një partie politike pranë një qendre votimi, pa ndonjë shkelje zgjedhore. Rregullat e KQZ-së tregojnë qartë se materialet e fushatës zgjedhore janë të ndaluara vetëm brenda hapësirës së qendrës së votimit deri te rrethojat.
Krasniqi ka kujtuar se kufizimi i mëparshëm prej 25 metrash nga dera e hyrjes nuk është më në fuqi. Ai ka theksuar se rastet e shkeljeve duhet të raportohen në organet përkatëse, jo të zgjidhen në mënyrë të njëanshme.
Krasniqi e ka cilësuar veprimin e Ministrit si të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e neutralitetit institucional, duke theksuar se roli i tij është të jetë shembull i ndarjes mes shtetit dhe partive politike.

Leave a Reply