Krasniqi: Llapushniku gjithmonë ka vendosur PDK-në në krye, Petrit Hajdari triumfon pa balotazh më 12 tetor

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ishte mbrëmë në Llapushnik të Drenasit, kërkoi mbështetje për kandidatin e PDK-së, Petrit Hajdari, për kryetar të kësaj komune.

Krasniqi u bëri thirrje të pranishmëve të mbështesin masivisht Hajdarin për një fitore që do të shmangte balotazhin.

“Llapushniku dhe kjo zonë gjithmonë e kanë mbështetur PDK-në që nga zgjedhjet e para në vitin 2000 e deri më sot. Jam sot këtu për t’ju falënderuar për këtë besim, mbështetje dhe forcë që na keni dhënë. Ka kandidatë të ndryshëm, por vetëm një i PDK-së, vetëm Petrit Hajdari, vetëm numri 191. Ju ftoj nga zemra më 12 tetor, si dikur, ta përfundojmë me fitore pa balotazh”, tha ai.

Krasniqi theksoi se PDK-ja është më e madhe se çdo individ dhe se kushdo që kërkon vota nga PDK-ja në bastionin e saj, Drenicë, për t’i çuar diku tjetër, po ndihmon Albin Kurtin.

“I vetmi në politikë me mision për të thyer PDK-në në Drenicë, ku buron fuqia e saj, është Albin Kurti dhe kushdo që e ndihmon atë është me të”, deklaroi ai.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari, tha se nuk ka forcë që mund të përçajë Drenasin.

“Unë besoj në ju. Ju ftoj të besoni në ne, që problemet tuaja nga sonte janë edhe të miat dhe do t’i zgjidhim së bashku. Ju ftoj të bashkohemi dhe të festojmë fitoren e madhe të PDK-së më 12 tetor”, theksoi ai./Arbresh.info/


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *