Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë një konference për media, diskutoi mbi procesin zgjedhor të së dielës.
Ai u ndal te rezultati në Drenas, ku PDK humbi përballë Ramiz Lladrovcit. Krasniqi përgëzoi Lladrovcin për fitoren, duke shprehur keqardhje për humbjen në Drenas, duke e përshkruar atë si një “shije të hidhur”.
Ai theksoi se asnjë parti, përfshirë PDK-në, nuk arriti të realizojë të gjitha objektivat në këtë garë zgjedhore. Kreu i PDK-së shprehu shpresën që kryetari i ri i zgjedhur të punojë në interes të qytetarëve të komunës.
Ai gjithashtu shprehu keqardhje për pozicionin e vështirë në të cilin u vendosën qytetarët e Drenasit në këtë garë lokale. Duke iu referuar të ardhmes, Krasniqi përmendi se fokusimi i partisë tani është te balotazhi, duke nënvizuar se zyrat e PDK-së mbeten aty ku është kryesia legjitime e saj.

Leave a Reply