Kryeministri Kurti dhe homologu i tij nga Belizeja diskutojnë mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik në New York

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në New York me kryeministrin e Belizesë, John Briceño.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se takimi ndërmjet Kurtit dhe John Briceño u zhvillua si pjesë e takimeve bilaterale që kryeministri po realizon gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas Kryeministrisë, në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve dhe sektorët me potencial për investime të huaja, përfshirë fusha si edukimi, turizmi, politikat sociale dhe të punësimit, si dhe kultura.

“Kryeministri Kurti e informoi homologun e tij mbi progresin e Kosovës në aspektin ekonomik dhe demokratik, si dhe në siguri dhe mirëqenie, duke e falënderuar për mbështetjen e Kosovës në proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Ai gjithashtu theksoi se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë në Belize, si pjesë e angazhimeve për siguri dhe bashkëpunim në kuadër të misionit bashkëzbarkues me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar”- thuhet në njoftim.

Të dy kryeministrat, sipas njoftimit, ftuan njëri-tjetrin për vizita në vendet e tyre respektive dhe u dakorduan për shkëmbime në fusha me interes të përbashkët.

Shteti i Belizesë e njohu Republikën e Kosovës në gusht të vitit 2008, ndërsa në prill të vitit 2016, të dy vendet vendosën marrëdhëniet diplomatike.

“Në vitin 2021, Kosova dhe Belize, pikërisht në Nju Jork (New York), nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për konsultime bilaterale ndërmjet Ministrive të Jashtme të të dy shteteve. Përmes tij synohet forcimi i bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë edhe çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare, të drejtat e njeriut, paqen dhe sigurinë”- thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti po vazhdon aktivitetet e tij në New York në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *