Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës.
Kjo ceremoni përkoi me ditëlindjen e Heroit të Kombit, Zahir Pajaziti. Gjatë homazheve, Kurti theksoi se Zahiri ishte një aktivist i jashtëzakonshëm dhe luftëtar i palodhshëm, i cili së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, u shndërrua në simbol të thirrjes për liri.
Kurti kujtoi janarin e vitit 1997, kur Pajaziti ra heroikisht në betejë kundër forcave serbe në Pestovë të Vushtrrisë, pasi kishte kryer një sërë aksionesh çlirimtare që paraprinë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri e përshkroi Zahir Pajazitin si një burim frymëzimi për ushtrinë e Kosovës dhe për forcat e sigurisë, duke nënvizuar rëndësinë e tij në mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit.

Leave a Reply