Para zhvillimit të Samitit të Procesit të Berlinit në Londër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Gjatë këtij takimi, u diskutua roli i Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin dhe zhvillimin e Kosovës, ndërsa Kurti shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje. Temat kyçe të diskutimit përfshinin sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe migracionin, të cilat janë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe edukimit, duke nënvizuar investimet dhe projektet strategjike të përbashkëta. Në aspektin e sigurisë, Kurti u fokusua në rrezikun e luftës hibride nga Rusia dhe nevojën për mbrojtje nga dezinformimi dhe financat e paligjshme.
Ai përmendi, gjithashtu, përpjekjet e Kosovës për të forcuar të drejtat e njeriut dhe për të adresuar mospërputhjet në rajon. Në lidhje me migracionin, Kurti deklaroi gatishmërinë e Kosovës për të ndihmuar Britaninë e Madhe në menaxhimin e sfidave të migracionit, duke përfshirë masat për forcimin e sigurisë kufitare dhe luftimin e krimit të organizuar.

Leave a Reply