Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka pritur ekipin e futsallit FC Prishtina 01, duke i uruar për sukseset e arritura si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, njoftoi klubi prishtinas.
Kurti ka shprehur veçanërisht vlerësimin për faktin që ekipi është renditur ndër 16 më të mirët e Evropës, duke e cilësuar këtë si një arritje historike për sportin kosovar. Në takim ishin të pranishëm presidenti i klubit, Bledion Bryma, drejtori sportiv Oso Gjinovci, trajneri Haki Ahmeti me stafin, si dhe lojtarët.
Kurti ka inkurajuar ekipin që të vazhdojë përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në garat ndërkombëtare. Ai uroi sukses në ndeshjen e ardhshme kundër skuadrës letoneze Riga në Ligën e Kampionëve.
FC Prishtina 01 e ka falënderuar Kryeministrin për mbështetjen dhe motivimin e vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes për të synuar rezultate më të larta në të ardhmen, si në garat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare.

Leave a Reply