Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kongresistët amerikanë Mike Turner dhe Donald Norcross, të cilët janë pjesë e Komitetit të Shërbimeve të Armatosura dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Gjatë këtij takimi, u trajtuan marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus të veçantë në bashkëpunimin në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë. Kurti bëri të ditur se gjatë mandatit aktual, Kosova ka katërfishuar buxhetin për mbrojtje, duke përmirësuar kapacitetet e saj me sisteme të reja, përfshirë ato nga SHBA.
Ai gjithashtu theksoi se mbi 1000 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë trajnim në programe ushtarake në Amerikë. Në fund, kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i ofrojnë Kosovës.

Leave a Reply