Kryesuesi zgjedhor në Podujevë zbardh detaje mbi hetimet e votave

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë për të mbledhur prova në lidhje me dyshimet për manipulimin e numërimit të votave në Podujevë.

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Podujevë, Islam Demolli, deklaroi për KosovaPress se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, por ende nuk ka marrë një njoftim zyrtar për nisjen e hetimeve. Demolli theksoi se informacionin për hetimet e ka marrë nga mediat dhe se nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë lidhur me keqmenaxhimin e votave.

Ai nënvizoi se gjatë procesit të numërimit, i cili përfundoi më 2 janar, nuk pati asnjë ankesë nga kandidatët apo vëzhguesit politikë. Megjithatë, pas rinumërimit, janë identifikuar parregullsi që nuk ishin vërejtur më parë.

Në Qendrën Komunale të Numërimit ishin të angazhuar 80 numërues dhe po aq vëzhgues nga katër partitë politike. Demolli shtoi se kanë ofruar kushte të përshtatshme për ekipet e numërimit, duke përfshirë pajisjet teknike dhe hapësirat për vëzhguesit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *