Kryetarët e komunave veriore akuzohen për veprime të paligjshme

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, theksoi rëndësinë e respektimit të rregullave dhe procedurave të qarta në çdo vendimmarrje në organet e Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të saj.

Ai shprehu shqetësim për shkeljet procedurale të konstatuara gjatë mbledhjeve të kuvendeve komunale në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Krasniqi zbuloi se kryetarët e komunave kishin propozuar në mënyrë të paligjshme shtimin e pikave në rendin e ditës pa respektuar Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, i cili u jep këtë të drejtë vetëm anëtarëve të kuvendit për çështje urgjente.

Ai shtoi se çdo propozim i tillë duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve. Për më tepër, Krasniqi vlerësoi se Lista Serbe po përpiqet të rrisë përçarjet midis komuniteteve, duke mos treguar vullnet për bashkëpunim me komunat tjera dhe duke synuar nxitje të mosbesimit dhe tensioneve, në vend të integrimit dhe mirëqenies së komunitetit serb në Kosovë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *