Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, ka mbrojtur vendimin e Qeverisë për të ndarë shtesa prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët, pavarësisht kritikave të ish-opozitës që e cilësuan këtë veprim si “blerje votash”.
Sipas Kurtit, kjo praktikë është e zakonshme dhe aplikohet çdo vit në prag të festave, për të sjellë gëzim tek të moshuarit dhe fëmijët. Kurti e bëri këtë deklaratë gjatë një vizite në stadiumin e futbollit në Shtime, ku theksoi se qeverisja e tyre do të vazhdojë edhe në mandatin e tretë.
Ai theksoi se këto shtesa nuk janë asgjë e re dhe janë dhënë edhe në vitet e mëparshme, veçanërisht para festave të fundvitit. Vendimi për shpërndarjen e këtyre fondeve do të ekzekutohet më 29 dhjetor, një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke nxitur kështu diskutime të gjera në skenën politike.

Leave a Reply