Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentja Vjosa Osmani, morën pjesë në edicionin e dytë të Forumit “Zá n’Kujtesë”, i cili këtë vit u përqendrua në helmimet e nxënësve në Kosovë gjatë viteve 1990-1992.
Ky forum, organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë në bashkëpunim me MAShTI-n, synon të ndriçojë një nga episodet më të errëta të asaj kohe përmes dokumenteve dhe dëshmive. Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti rikujtoi se helmimet filluan më 21 mars 1989 në Klinë dhe më 6 dhjetor 1989 në Prizren, pikërisht në periudhën kur po përgatitej suprimimi i autonomisë së Kosovës.
Ai theksoi se rastet e helmimeve u përhapën në 20 qytete dhe 11 fshatra, duke përfshirë edhe punëtorët e fabrikave të ndryshme. Kurti kritikoi përpjekjet serbe për të fshehur këto krime dhe për të penguar hetimet.
Ai vuri në dukje rëndësinë e dokumentimit të këtyre ngjarjeve nga institucionet e Kosovës për të ruajtur kujtesën historike dhe për të parandaluar përsëritjen e të njëjtave ngjarje. Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë po krijon një qendër arkivore që do të shërbejë si burim për studiuesit e interesuar.

Leave a Reply