Pas incidentit të rrëmbimit dhe plagosjes së një qytetari serb me shtetësi kosovare, të dyshuar të jetë kryer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar publikisht.
Kurti akuzon presidentin serb Aleksandër Vuçiq për ndjekjen e serbëve të integruar në institucionet e Kosovës, duke e përshkruar Serbinë si një shtet agresiv dhe me qëllime provokuese. Sipas tij, Serbia tani po sulmon serbët që punojnë për të mirën e komunitetit në Kosovë dhe që nuk janë pjesë e partisë së Vuçiqit.
Ai thekson se Serbia është orientuar drejt Kremlinit, ndërsa Kosova ndjek rrugën evropiane dhe aleancat me NATO-n. Kurti apelon për sanksione nga BE-ja dhe NATO ndaj Serbisë, duke e cilësuar atë si një kërcënim për stabilitetin rajonal.
Në fjalën e tij, Kurti bën thirrje për bashkëpunim nga serbët në katër komunat veriore dhe siguron se institucionet e Kosovës do të ofrojnë siguri dhe ligjshmëri për të gjithë qytetarët pa dallim. Ndërkaq, rasti i rrëmbimit të Milan Vukasinoviqit më 1 nëntor vazhdon të hetohet nga autoritetet kosovare.

Leave a Reply